Tirana e gjelbër trendy

Prej lirisë që solli kapitalizmi, Tirana u mbush me pallate të larta, gjë që i zvogëloi asaj hapësirën e gjelbërt,
por meqenëse nuk mund t’u vëmë tritolin gjithë pallateve për të bërë lulishte, mund të kujdesemi secili për hapësirën e vet.
Një ballkon me lule në vend të këmishave varur në tela, një lokal me vazo në vend të një tavoline më tepër,
një tarracë e mbjellë me fruta e perime në vend të antenave të televizorit.


Kushdo mund të zgjedhë një bimë për ta mbjellë, jo vetëm se bën mirë për shëndetin të kesh lule
që furnizon ajrin me oksigjen, përmirëson shëndetin psikologjik, por edhe mund të angazhohemi
me rritjen e një bime, duke shijuar procesin e saj të zhvillimit e për të përfituar një mikroklimë
brenda dhomës. Mund të zgjedhim të rritim lule me ngjyra që të kënaqin me rutinën e ujitjes në mëngjes,
apo kaktus e aloe vera që nuk kërkojnë ujitje të përditshme.
Mund të mbjellim frutin e dashur, gjethe sallate, apo domate të vogla për të gatuar salcën e parapëlqyer.


Pamja e lodhur e një Tirane plot pallate të larta, apo thjesht dëshira e secilit prej nesh për ngjyra e oksigjen
mjaftojnë për të nxitur shtimin çdo ditë nga pak të së gjelbrës, edhe nëse është thjesht trendy.


Frymëzuar nga Tirana Jungle City
Përgatiti: Fiona Kopali https://www.facebook.com/fiona.kopali
Foto: S.Muraku